Martohesh gjatë 2019? Ja 7 fustanet më IN!
Ndërkohë që jemi në ditët e fundit të vitit, orët kalojnë duke festuar dhe pritur me entuziazëm freskinë e të rejave që do na sjellë viti pasardhës. Për të gjitha ju që keni pranuar të kurorëzoni dashurinë tuaj përgjatë vitit 2019, ju prezantojmë tendecat e fundit të fustaneve të nusërisë. Ja çfarë sugjerojnë stilistët:
1. Dantella 3D
Tekstili dantellë 3D është tendenca e kohëve të fundit, sidomos ai me teksturë florale. Prirja e luleve 3D në detajet e fustanit tuaj janë perfekte për ju që martoheni gjatë sezonit Pranverë-Verë. Atmosfera do të jetë në harmoni me stinët dhe do të sjellë nuanca romantike. Lulja e preferuar e dizajnerëve të modës është trëndafili.
2. Korse
Kudo po tregohet një prani e lartë e korseve, herë të dukshme e herë të padukshme. Ky aksesor është i përshtatshëm pë fustanet me prerje të drejtë ose stil sirenë. Thyerja unike ju sjell pamje më sensuale dhe femërore edhe pa treguar shumë nga lëkura e trupit.
3. Jaka e mbyllur
Trendi i sezonit që po kalojmë u bazua mbi stilin viktorian. Jakat e larta të mbyllura, do të jenë edhe gjatë 2019-ës padyshim tendencë në rritje. Ndjesia e delikatesës që sjell zgjatimi nga kraharori në drejtim të qafës do të detajohet me punime dentelle. Kjo është zgjedhja e duhur për dasmat gjatë sezonit dimëror.
4. Jaka e harkuar
Për ty që do të jesh veçanërisht sexy dhe detajiste e formave sensuale, zgjidhni jakën e hapur të harkuar. Qoftë hark i madh në pjesën e prapme apo vetëm një hark i theksuar rreth kraharorit, shton një prekje të butë dhe femërore në fustanin tuaj.
5. Jumpsuit
Nuk jeni tradicionale? Ju pëlqen të eksperimentoni me tendencat e modës? Qoftë kjo një zgjedhje modernizmi apo argëtuese, ju duhet të shkoni drejt altarit me këtë veshje. Nëse nuk e keni zgjedhje primare, përdoreni si një ndër veshjet e ndërrimit. Përveç habisë të të ftuarve, do të ndiheni praktike dhe elegante. Shijoni dasmën tuaj me rehati.
6. Klasike
Pamja e pastër e klasikes do të jetë rikthimi i bujshëm i vitit. Pa rruaza, pa qëndisje, pa copa të përpunuara… Klasikja nuk vdes kurrë, ndaj ti që do të jesh në modë edhe pas 30 vitesh zgjidh një fustan nusëror të derdhur e klasik. Fotot e setit do të jenë plot stil edhe pas shumë vitesh.
7. Pelerina
Në fillim mund të hezitosh për të veshur një pelerinë në ditën e dasmës, por nëse mendohet si një zëvendësim i vellos duket më e pranueshme. Pelerinat po bëhen trend në botën e fustaneve të nuserisë dhe pa dyshim ky do të jetë stili i preferuar i nuseve guximtare dhe të “çmendura”.